Boshko Jakshiç[i]
Para pak kohësh, ser Riçard Mur, njeriu i cili ka qënë shef i shërbimit të fshehtë britanik MI6 dhe i cili duhet të dijë shumë gjëra, deklaroi se “kurrë më parë nuk e ka parë botën në gjendje më të rrezikshme”.
Përse kështu? Neve, vdekësorëve të zakonshëm na duket se po ndahemi edhe nga një vit i cili vërtetë pati luftëra, kriza. Rekorde të reja negative klimatike, inflacion dhe rritje të shpenzimeve të jetesës, dallime sociale gjithnjë e më drastike, migracion, pakënaqësi dhe protesta… por të gjitha këto na duken sikur janë normale.
Në frontin ukrainas janë vrarë me qindra mijëra veta në të dy palët. Për herë të parë pas krizës kubaneze në vitin 1962, dëgjuam, në vitin 2024, që bota na qënka nën hijen e luftës së tretë, megjithëse nuk e besoj se do të ketë një të tillë. Bilanci i konfliktit në Gaza është 48.000 plestinezë të vdekur, kryesisht civilë, por lajmet ditore mbi vrasjen e 40-50 njerëzve nuk janë më lajm për kryeartikull. Çfarë ka këtu veçanërisht të re në Lindjen e Afërt jo stabël, rajon i cili prodhon më shumë informacione për frymë në botë? Në krahasim me 50 pika konfliktesh “me intenstitet të ulët” në shkallë gobale të shkaktuara më së shpeshti nga motive etnike dhe fetare ose luftëra për sfera interesash dhe burime lëndësh të para. Madhëria e tij përfitimi mban i papenguar shkopin e dirigjentit.
Viti që po kalon është vetëm njëri në radhën e atyre të dhjetëvjeçarit të fundit ku po thyhen rekordet e temperaturave, duke shkaktuar humbje shkattërruese jetësh, vuajtje të mëdha njerzore dhe dëme masive, por njeriu, me fodullëkun dhe moskokëçarjen e tij i cili ka shkaktuar ndryshime klimatike dramatike dhe tani, disi i dezinteresuar, rri duarkryq dhe vështron sesi nga era e ngrohjes globale po hyjmë në erën e “vlimit global”. Po hapim varrin tonë duke mos dashur ta pranojmë se po afron pika e shkrirjes. Në Bakuu është mbajtur COP29, edhe një samit tjetër botëror i cili u mbyll me premtime të sheqerosura të cilët vështirë se do të plotësojnë pritmëritë e shkencëtarëve të cilët paralajmërojnë se planetin po e kërcënon katastrofa.
-Planeti jonë i brishtë varet në një fije peri – paralajmëroi sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guteres.
Unë do të thoja se bota është në njëfarë mënyre në kaos. Jetojmë në kohë të keqe, e cila është e tillë sepse kërcënimet janë të heshtura. Pas një serie krizash, financiare, emigracionit, e pandemisë, inflacioni, e sigurisë – erdhi edhe kriza e parë e lidershipit e ndjekur nga kriza politike, e cila në sytë tanë po shndërrohet në krizë të demokracisë, cilësia e së cilës është kthyer në atë të para dyzet viteve më parë. Tre të katërta e planetit jetojnë nën rregjime autoritare, me qindra milionë në rregjime hibride.
Shumë vende po shfaqin të njejtën simptomë sëmundje: klasat e tyre politike janë gjithnjë e më të tëhuajsuara nga zgjedhësit, të cilët demokracinë e matin para së gjithash me tryezën e ngrënies dhe ndëshkimin e atyre që ata mendojnë se janë përgjegjës që oferta në këtë tryezë është gjithnjë e më e varfër dhe që dallimet shoqërore po bëhen të padurueshme. Ata u kthehen demagogëve të cilët u ofrojnë zgjidhje të thjeshta, megjithëse të parealizueshme. Populizmi dhe nacionalizmi kanë marrë hov.
Viti që po kalon ishte viti i zgjedhjeve të stërmëdha në mbarë planetin. Votuan afro katër miljardë njerëz, por zgjedhjet gjithnjë e më shpesh nuk janë garant i demokracisë. U tregua se po kërcënohet gjithnjë e më shumë e drejta universale që qytetarët të shprehin vullnetin e lirë. Si rregull kërcënimet vinë nga e djathta, këtë e treguan zgjedhjet në Indonezi, Pakistën dhe Indi, zgjedhjet për parlamentin Europian, deri në Shtetet e Bashkuara, Austri, Gjeorgji apo Rumani. Megjithëse shumica e qytetarëve të BE-së mendon se vendet e tyre janë demokratike, në Francë, Greqi dhe Hungari nuk mendojnë më kësisoj. Bashkimi Europian po mbetet seriozisht pas Amerikës dhe Kinës dhe nuk po arrin të marrë statusin e lojtarit global. Dy makinat më të mëdha të Unionit po bëjnë hapa në vendnumro. Gjermania dhe Franca janë në krizë politike serioze.
Amerika fitoi përsëri Donald Trampin. Se çfarë politike do të bëjë, mendoj se në mënyrë më të përmbledhur e ka përcaktuar ish këshilltari i tij për sigurinë kombëtare Xhon Bollton:
-Presidenti i sapozgjedhur në mandatin e tij të dytë nuk do të mbështetet në këshillat e bashkëpuntorëve, por do të presë që personeli i tij të realizojë pa fjalë vendimet që ai do të marrë. Me personel kam parasysh edhe ata jashtë vendit.
Trampi kërcënon me dogana Kinën, Bashkimin Europian, vendet e BRICS-it. Nëse hap gjithë këta fronte lufte tregtare, sllogani i tij “Ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe” shumë lehtë mund të shndërrohet në “Ta bëjmë Amerikën përsëri të dobët.
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
_________________
Boshko Jakshiç tërë karrierën e tij si gazetar e ka kaluar në gazetën “Politika”, si reporter i përhershëm i saj nga Kajro dhe nga Roma gjtihashtu edhe shumë misione në mbarë botën dhe kryesisht për politikën e jashtme. Ka raportuar kryesisht nga territoret ku është zhvilluar luftë, nga Kamboxhia nëpërmjet Afganistanit e deri në Liban, mbi rrëzimin e perandorisë iraniane të Shahut apo lindjen e lëvizjes “Solidarnost” në Poloni, për grushtin e shtetit në Turqi ose urinë në Etiopi. Ka intervistuar me dhejtra shtetarë botërorë. Dhjetëvjeçarin e fundit nuk ka mundur t’i largohet ngasjes që të merret edhe me temat e ndryshme vendore. Ka lindur në vitin 1949 në Beograd ku është diplomuar në Fakultetin ekonomik. Është bashkëpuntor i shpeshtë i gazetave vendore dhe të huaja, radio dhe TV. Motoja e tij është: “Ka rëndësi të më lexojnë, dëgjojnë apo të më shohin, pa marrë parasysh se me atë që është shkruar janë dakord ose jo. Informacioni është i shenjtë, komenti i lirë”.
[i] https://www.kurir.rs/licni-stav/9526435/godina-opasnog-zivljenja?utm_source=kurir&utm_medium=home_ëidget&utm_campaign=adria_internal