Mario Stefanov, Gjeopolitika[i]
Takimet e zhvilluara janë paralajmërim i krijimit të një rendi të ri botëror. Pas shkëlqimit të samitit G7 dhe ofensivës diplomatike britanike konturohet agjenda e madhe amerikane e gjeostrategjisë globale të lidhjes mes shteteve demokratike nën drejtimin e ShBA-ve, përballë shteteve jodemokratike në botë, pikësëpari ndaj më të fuqishmëve-Kinës dhe Rusisë.
Samiti glamuroz G7 i mbajtur në kampin veror britanik në Carbis Bay, me praninë e presidentit amerikan Xhozef Bajden dhe zyrtarëve kyç të administratës amerikane dhe të politikës së jashtme të aleatëve, rinovimi në njëfarë mënyre i marrëdhënieve amerikano-britanike nga Karta e Atlantikut dhe rivitalizimi i raporteve euro-amerikane dhe tërë struktrës transnatlantike si dhe samiti i NATO-s në Bruksel që ripërcakoi rolin e aleancës, shenjojnë fillimin e përpjekjeve për ndërtimin e një rendi të ri botëror.
Grupi i samiteve dhe i takimeve dypalëshe që mbajti Bajdeni gjatë kohës së vizitës së tij në Europë është një prej atyre ngjarjeve të rralla politike që ndryshojnë orientimin e politikës ndërkombëtare dhe përcaktojnë fatin e mbarë botës për një kohë të gjatë. Si edhe shumica e këtij lloji ngjarjesh në histori, ndoshta në fillim edhe nuk duket si një pikë kthese, por tashmë është e pranuar se, pas turneut të Bajdenit në Europë, bota nuk do të jetë më e njëjtë.
Pas shkëlqimit të samitit G7 dhe ofensivës diplomatike britanike konturohet agjenda e madhe amerikane e gjeostrategjisë globale të lidhjes mes shteteve demokratike nën drejtimin e ShBA-ve përballë shteteve jodemokratike në botë, pikësëpari ndaj më të fuqishmëve-Kinës dhe Rusisë.
Të njëjtët shtete
Takimi i presidentit amerikan dhe atij rus në Gjenevë, i cili, sipas informacioneve mediatike, rrodhi në një atmosferë tolerante dhe konstruktive, nuk duhet të na mashtrojë dhe të na laregojë vëmendjen nga strategjia e re amerikane dhe europiane. Takimi i Gjenevës mbeti i kufizuar në rregullimin bërthamor dhe përpjekjeve për ndarjen e Rusisë nga Kina dhe është plotësisht e qartë për të gjithë se nuk ka për të patur kurrfarë ndryshimesh. Rusisë, sipas fjalëve të presidentit amerikan, i është dhënë mesazhi për të mos hyrë më thellë në luftën e ftohtë kundër ShBA-ve, sepse pas kurrizit të saj me shpejtësi marramendëse po zhvillohet King Kongu kinez, cili ndoshta në të ardhmen ka për të kërcënuar territoret e saj aziatike dhe pozitën e saj gjeopolitike. Rusia pas takimit Bajden-Putin mbetet armik që mbahet nën sanksione. Nga ana tjetër, me vizitën e Bajdenit në Europë, proklamohet themeli gjeostrategjik i politikës së re të Uashingtonit që është promovimi i demokracisë, gjë në të cilën Rusia, sipas standarteve dhe kualifikimeve perëndimore, gjithsesi nuk përputhet duke mbetur kësisoj në grupin e shteteve jodemokratike.
Qëllimi i strategjisë së re globale amerikane është krijimi i një bote të sigurtë për demokracinë nëpërmjet ngushtimit të hapësirës manovruese dhe ndikimit në bashkësinë ndërkombëtare të aktorëve shtetërorë jodemokratë ndër të cilët Kina dhe Rusia, si fuqitë më të mëdha të botës jodemokmratike, sipas kategorizimit amerikan dhe europian, shenjohen në mënyrë direkte ose të tërthortë si kërcënime për rendin e ri ndërkombëtar që po ndërtohet.
Në qendër të doktrinës së re gjeostrategjike amerikane, e tani pa dyshim të miratuar edhe nga fuqitë kryesore europiane dhe e tërë bota Perëndimore e udhëhequr nga ShBA-të, tani është mbrotja e demokracisë liberale dhe e rendit liberal në ndryshimn nga koha e Obamës, kur administrata amerikane evitonte të bënte një politikë të hapur për vlerësimin e gjendjes së demokracisë në disa shtete, edhe për shkak të aleatëve jodemokratikë amerikanë, siç është përshembull, tirania e famshme e Arabisë Saudite. Demokracia dhe promovimi i saj global tani janë vënë si qëllim dhe masë e veprimtarisë së politikës së jashtme amerikane në të ardhmen.
Ndikim i madh
Këtë orientim të politikës së jashtme amerikane e paralajmëroi në Uashington Post-in e datës 5 qershor 2021, personalisht presidenti amerikan Xhozef Bajden, duke skicuar në esenë e tij se cila do të ishte doktrina e politikës së tij të jashtme. Thënë në mënyrë të përmbledhur – ShBA-të do të mbledhin rreth vetes demokracitë botërore për të konkuruar më mirë me shtetet autoritare të botës, para së gjithash Kinën dhe Rusinë.
Atlantic Council –i disa ditë më vonë, me 8 qershor, publikoi artikullin e Daniel Friedit në të cilin shpjegohet vizioni i Bajdenit për botën demokratike, në krijimin e së cilës ShBA-të duhet të kenë rolin udhëheqës. Atlantic Council-i është think-thank politik me ndikim që është krijuar në vitin 1961 me seli në Uashington dhe ka për mision promovimin e bashkëpunimit transatlantik të Amerikës Veriore dhe Europës. Në përbërje të tij është Atlantic Treaty Associacion, organizatë kupolë që përfshin liderët e lartë të diplomacisë dhe ushtrisë me synim mbështetjen e zhvillimit të NATO-s. Ndikimi i tij në politikën e jashtme amerikane është i madh, por për shkak të ndikimeve të ndryshme shpesh herë mbështet qëndrimet e mainstraem-it të politikës amerikane.
Daniel Friedi, koordinatori i dikurshëm i politikës së sanksioneve në administratën e Obamës, ndihmës i sekretarit të shtetit për Europën dhe Euroazinë në administratën e Bushit dhe Drejtor i National Security Council për administratat e Klintonit dhe të Bushëve, në artikullin e titulluar “Biden Buliding a Doctrine Around Democracy. Will it work?”, mbështet planet e administratës Bajden dhe, duke theksuar shumë mossuksese të intervencionizmit demokratik, por gjithsesi nuk sheh mënyrë tjetër për krijimin e një rendi serioz ndërkombëtar pa rolin udhëheqës të ShBA-ve.
Gabimet amerikane
Friedi nënvizon: “Nëse presidenti Bajden mendon seriozisht ta bëjë këtë, atëherë kemi para nesh diçka të madhe. Bajdeni po thyen jo vetëm kuadrin e administratës Tramp për rivalitet mes fuqive të mëdha, por edhe rezervimin e Barak Obamës në lidhje vendosjen nga ana e ShBA-ve të demokracisë si vlerë themeltare. Duket se Bajdeni për sfidat e sotme dëshiron të riformësojë strategjinë e madhe amerikane që pati filluar Tedi Ruzvelti dhe e cila gjeti shprehjen e saj në 14 pikat e Vudro Vilsonit dhe Harri Trumanit në vitin 1918, të cilën e realizuan Franklin Ruzvelti dhe Harri Trumani gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo strategji bazohet në besimin se sistemi ndërkombëtar i bazuar në rregullat që favorizojnë lirinë është njëlloj i mirë si për vetë ShBA-të, ashtu edhe për mbarë botën; se interesat amerikane do të realizohen në përputhje me vlerat amerikane; se begatia e ShBA-ve varet nga begatia e të tjerëve dhe, sipas kësaj, mbështetja dhe udhëheqja amerikne e një bote të këtillë- botës së lirë- nuk është mirëbërësi, por realizim i mençur i interesave vetiake”.
Friedi i respekton mendimet e atyre që bëjnë fjalë për gabimet e intervencionizmit amerikan, por megjithatë i mbetet besnik tezës se vetëm udhëheqja amerikane mund të sigurojë rend ndërkombëtar funksional. Thotë: “Të gjitha këto janë vërejtje të ndershme… dhe, si reaksion ndaj mossuksesve nga Vietnami deri në Irak, shumë veta bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje dhe përqëndrim të vëmendjes në sfidat e brendshme… Por megjithatë. Përkundër të gjithë mossuksesve të strategjisë së madhe amerikane nga Franklin Delano Ruzvelti dhe Trumani, nëpërmjet Ronald Reganit, e deri në ditët e sotme, udhëheqja amerikane megjithatë duket diçka shumë e mirë, sidomos nëse nuk merret me retorikë por orientohet kundër konkurencës”.
Daniel Friedi, duke mos lënë hapësirë për dyshime për atë se cila është konkurenca amerikane në botën e lirë, nënvizon: “Në shekullin e 20-të kjo konkuerncë ishte komunizmi, nazizimi, militarizmi dhe mbretëritë europiane. Në shekullin e 21-të këta janë Rusia e Putinit ose Kina e Xi Gjinpingut”. Konkludon: “Bajdeni me të drejtë mbështet vizionin e madh të ShBA-ve që bazohet në vlerat demokratike. Dhe ka të drejtë, sepse begatia dhe liria amerkiiane nuk kanë sesi të lulëzojnë në botën e ndarë mes perandorive rivale në të cilën drejtojnë tiranët dhe ku rregullat e lojës përcaktohen në Pekin dhe në Moskë. Ka të drejtë sepse tërheqja e ShBA-ve dhe mbështetja e qëndrimeve të autokratëve do të thoshte se demokracia është në rënie dhe e ardhmja u përket atyre”.
Rendi i vjetër
Sepse, në thelb bëhet fjalë për një model të ri të projeksioneve gjeoekonomike dhe gjeopolitike amerikane dhe europiane në nivel global. Kjo është kaq e dukshme saqë është i panevojshëm çfarëdo elaborimi i mëtejshëm i kësaj çështje, dhe se kjo është e vërtetë, dëshmojnë edhe kërcimet e disa politikanëve dhe think thank-eve me ndikim, të cilët në një moment bëjnë fjalë për problemin e karakterit jodemokratik të shtetit kinez, ndërsa në një moment pasardhës paralajmërojnë për faktin tashmë të njohur sipas të cilit Kina, në këtë moment kontrollon shumicën e minierave dhe kapaciteteve prodhuese të përpunimit të mineraleve të rralla që janë lënda e parë kryesore për transformimin digjital dhe atë të gjelbër të shoqërisë dhe ekonomisë Perëndimore.
Kështu, Anne-Marie Slaughter dhe Kazumi Hoshino-Macdonald në artikullin e përbashkët të datës 7 qershor me titull “Making America Global Again”, pas mbështetjes që u japin planeve të Bajdenit dhe punës për krijimin e Ligës së shteteve demokratike të botës e cila do ti kundërvihej Kinës dhe Rusisë jodemokratike, kalojnë në problemin e teknologjisë së nevojshme për zhvillimin digjital. Nënvizojnë: “Shihni vetëm problemin e gjysëmpërcjellësve. Ata kanë rol fondamental në teknologjitë në lindje e sipër, siç janë bioteknologjia dhe inteligjenca artificiale dhe prodhohen ekskluzivisht në SHBA, BE dhe nga aleatët e tyre aziatikë. Por prodhuesit e gjysëmpërcjellësve varen nga sistemi global i tregtisë në të cilin Kina është e fiksuar thellë”.
Në pjesën paraardhëse të artikullit në fjalë, para se të cekin vetë thelbin material të konfliktit me Kinën jodemokratike, ata mbështesin Ligën e madhe të shteteve demokratike e cila në nivel global do të konkuronte me regjimet jodemokratike. Që në hyrje theksojnë: “Rendi ndërkombëtar liberal është zënë peng në shekullin e 20-të. Meqënëse autokracitë si puna e Kinës dhe Rusisë po zhvillojnë gjithnjë e më shumë sferën e bashkëpunimit mes tyre, ShBA-të u përgjigjen me ndërtimin dhe forcimin e grupimeve rajonale, nga NATO-ja deri në QUAD-in Indo-Pacifik (ShBA, Japoni, Australi, Indi). Por Amerika, në vend të kësaj duhet të marrë një qëndrim global dhe jo vetëm lidhje me vende të caktuara. Llojet e autoritarizmit në lindje e sipër po krijojnë sfida të reja për synimet demokratike nga Krimeja e deri në Taivan. Edhe në Europën Lindore dhe në Azinë Lindore, taktikat gjithnjë e më të shpeshta të luftimit në zonën gri, kërcënojnë integritetin territorial të vendeve, sistemet e hapura të tregtisë, zgjedhjet demokratike, rrjetet e furnizimeve teknologjike dhe shtetin e së drejtës. Këto kërcënime joliberale nuk janë më çështje auropiane, amerikane apo aziatike. Ata synojnë të gjithë shoqëritë e hapura, të drejtat njerzore dhe vetë demokracinë. Për fat të keq kuadret ndërkombëtare të lindura pas viti 1945 nuk janë më të përshtatshëm për nxitjen e përfaqësimit të përbashkët të shoqërive liberale. G7, NATO, Bashkimi Europian dhe QUAD-i janë të orientuar rajonalisht dhe të ndryshëm mes tyre për të arritur të japin një përgjigje të fuqishme globale”.
Liga Demokratike
Autorët sugjerojnë se është i nevojshëm një Këshill global i demokracive nën udhëheqjen e ShBA-ve ose Liga e demokracive e cila tani po fillon të ndërtohet në themelet e G7. Me kalimin e kohës, sipas strategjisë amerikane dhe të aleatëve të saj, duhet të rritet në një Ligë demokracie globale. Pikërisht këtë synonte, në prapavijë, samiti G7 dhe vizita e Bajdenit në Europë.
Nuk ka më asnjë dyshim se, pas samitit G7 të këtij viti dhe turneut europian të Bajdenit po ndërtohet një botë e re- një rend i ri botëror për të cilin dihet se cilët do të jenë udhëheqësit e tij. Këta janë, krahas ShBA-ve, si fuqi udhëheqëse, shtete që janë deklaruar demokratike dhe në të cilët është arritur demokracia e vërtetë liberale dhe të cilët sëbashku formojnë të ashtuquajturën botë e lirë. Ky është kuadri gjeopolitik i strategjisë së re globale amerikane të promovuar nëpërmjet vizitës së Bajdenit në Europë dhe një serie takimesh multilaterale të aleatëve amerikanë, europianë dhe aziatikë. Ata do të duhet të bëhen Liga e re demkokratike, siç i quan ideologu i intervencionizmit liberal demokratik amerkan në botë, gjeopoliticieni amerikan Robert Kagan.
Dhe Kagani nuk është dokushdo. Ai është një prej themeluesve të ntë famshmit “Project for New American Century” dhe zyrtar i lartë i shumë administratave amerikane. Ndikimi i tij në administratën e presidentit Xhozef Bajden në fushën e poluitikës së jashtme është i padiskutueshëm. Nga ana tjetër, bashkëshortja e tij Viktoria Nuland në administratën e re është nënsekretare për çështjet politike, pikërisht krahu i djathtë i sekretarit të shtetit Antoni Blinken dhe praktikisht zyrtarja ne tretë për nga rangu udhëheqës në politikën e jashtme amerikane. Integrimin e ri të shteteve demnokratike, apo siç e quajnë Lidhjen e Shenjtë të demokracisë, politika amerikane dhe ajo e aleatëve përpiqen ta ndërtojnë nëpërmjet transformimit të forumit G7, i cili përbëhet nga vendet më të rëndëishme industriale të botës-ShBA, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia, Franca dhe Japonia. Me përfshirjen e Australisë, Afrikës së Jugut dhe Koresë së Jugut duhet të arrihet integrimi politik D10, i cili do të përbënte boshtin e Ligës së ardhshme të demokracive. Ka mundësi edhe ndonjë konfigurim tjetër i integrimit të ardhshëm të D10, por në çdo rast qëllimi mbetet i njëjtë, rritja në një aleancë të re të shteteve demokratike të botës.
Ekstremizmi i djathtë
Deri në momentin kur me rastin e vizitës së Bajdenit në Europë dhe samitet e G7 dhe NATO-s u shpall krijimi i rendit të ri liberal demokratik në vend të të vjetrit i cili, sikurse pohohet, ka ngelur në shekullin e kaluar, u kryen punime përgatitore në mënyrë graduale dhe të suksesshme.
Pas shpalljes së administratës së re amerikane mbi rikthimin në skenë dhe entuziazmit të treguar nga pala europiane, filluan ndryshime politike në anën amerikane të integrimit transatlantik, por edhe të vetë funksionimit të kompleksit euroatlantik. Para së gjithash, u stabilizua pushteti në ShBA, ndërsa pasuesit e Trampit u shpallën ekstremistë të djathtë. E tërë politika e tyre gjoja izolacioniste u shpall gabim dhe produkt i ekstremizmit të djathtë.
Pastaj u rinovuan raportet prej aleatësh të ShBA-ve me Bashkimin Europian por gjithashtu edhe me aleatët aziatikë. Një prej lëvizjeve kyçe të përgatitjes së politikës së re ishte edhe forcimi i urës drejt Mbretërisë së Bashkuar nëpërmjet së cilës Londrës iu ofrua mbështetje e plotë politike dhe ushtarake në planin e saj për kthimin në pozitat e vjetra koloniale pas braktisjes së Bashkimit Europian në përputhje me strategjinë e re të shpallur britanike të krijimit të Mbretërisë së Bashkuar Golobale.
Njëkohësisht u forcuan edhe raportet me shtete e tjera të “anglosferës”. Filloi riafirmimi i plotë e mbrojtjes transatlantike dhe forcimit të unitetit të NATO-s. Nëpërmjet realizimit të të gjithë këtyre punëve përgatitore u krijuan kushtet për paraqitjen e presidentit amerikan në Europë dhe shpalljen e strategjisë së re të intervencionizmit demokratik në nivel global. Në samitin G7 merren vendime të cilët Forumit G7 i japin atributet e aleancës politike dhe ekonomike të shteteve demokratike në përballjen me shtetet jodemokratike Kinën dhe Rusinë. Një prej vendimeve që G7-ës i jep këtë dimension është edhe krijimi i fondit si kundërtezë e Rrugës kineze të mëndafshit. Pas kësaj erdhi samiti i NATO-s, i cili, me deklaratën në kundërshtim me nenin 6 të Kartës së saj, kufinjtë e dertitanishëm të veprimit të aleancës transatlantike i zgjeroi edhe në Azi, duke proklamuar rolin e saj në mbrojtje të botës së lirë dhe kundër fuqisë aziatike-Kinës.
Dështim global
Strategjia e re amerikane dhe europiane me krijimin e integrimit të shteteve demokratike të botës së lirë të orientuar në përballjen me bllokun jodemokratik në thelbin e saj shpie përsëri në ndarjen e botës në blloqe. Pyetja është nëse ky rikthim në luftën e ftohtë, sepse ky do të jetë me siguri një prej efekteve të strategjisë së re amnerikane dhe europiane dhe rivendosja e hegjemonisë globale amerikane me mbështetjen e fuqive amerikane, do të jetë i mundur në botën tashmë të ndryshuar. Nga kjo pyetje buron edhe rrezikshmëria e një politike të këtillë, sepse çdo ndalim në realizimin e kësaj strategjie të re amerikane dhe europiane do të krijojë frustrime dhe do të rritë agresivitetin e fuqive rivale të cilat do të përpiqen të kundërpërgjigjerjn me të njëjtat masa. Kësisoj pragu i luftës do të ulet edhe më poshtë dhe do tu hapen dyert përplasjeve të armatosura
Dështimi i mundshëm i strategjisë së re amerikane dhe europiane për krijimin e një rendi të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare nën dominimin e ShBA-ve dhe fuqive europiane në një kontekst të tillë për kreatorët e saj është plotësisht i papërfytyrueshëm dhe nuk pranohet lehtë. Mossuksesi i strategjisë së madhe globale nuk është njëlloj si mossuksesi në një Afganistan të largët. Strategjia e madhe mbart me vete edhe imperativin e realizimit të saj dhe për këtë, në mënyrë objektive, mund të shpjerë në përballjen përfundimtare të ShBA-ve dhe aleatëve me Kinën dhe Rusinë. Në një skenar të tillë të zi, por përherë të mundshëm, ai do të tërheqë pas vetes edhe të gjithë popujt dhe shtetet e vegjël të cilët me hir apo me pahir do të jenë të detyruar ti bashkohen njërës palë.
Nëse samiti G20 i mbajtur me 15 nëntor 2014 në Brisben të Australisë pas aneksimit rus të Krimesë shenjoi fillimin e luftës së re të ftohtë, samiti G7 në Mbretërinë e Bashkuar dhe samiti i NATO-s një Bruksel me praninë e presidentit amerikan, shenjon ndarjen e re të botës në blloqe- demokratike dhe jodemokratike- në të cilin të gjithë, të mëdhenj dhe të vegjël, do të jenë të detyruar të zgjedhin njërën palë dhe të paguajnë çmimin përkatës këtë.
Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA
[i] https://www.geopolitika.newes/analize/m-stefanov-bidenov-posjet-europi-promijenit-ce-svijet/