Ambasadori i Rusisë në Shqipëri Mikhail Afanasiev u takua me Shefen e Misionit të OSBE ODIHR për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Shqipëri, Ambasadoren Urszula Gacek dhe Zëvendëskryetaren e misionit Polyna Lemos.
Gjatë takimit u shqyrtuan çështjet e përgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Shqipëri nën dritën e përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare dhe, në veçanti, të OSBE-së për të dhënë ndihmesën e nevojshme në organizimin e duhur të të gjitha fazave të procesit zgjedhor, thuhet në faqen zyrtare facebook të ambasadës ruse në Tiranë.
U vu në dukje rëndësia e pranisë së monitoruesve ndërkombëtarë, mendimi i të cilëve do të ketë një rëndësi vendimtare për certifikimin e zgjedhjeve nga pikëpamja e përputhshmërisë së tyre me standardet ndërkombëtare të OSBE-së. U theksua nevoja që të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje të veprojnë sipas normave të legjislacionit kombëtar dhe të praktikave më të mira ndërkombëtare.
Palët ranë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin për të siguruar mbarëvajtjen e punës së grupeve të vëzhguesve afatshkurtër dhe afatgjatë të misionit monitorues, midis anëtarëve të të cilëve ka përfaqësues të Federatës Ruse.