Vlado Vurushiç[i]
A po ndryshojnë prirjet politiko-strategjike në Mal të Zi pasiqë para katër vitesh pushtetin e morën obsionet e hapura proserbo-proruse? A po u kthehet ngjyra në fytyrë partive proeuropiane dhe promalazeze pas zgjedhjeve në kryeqytet dhe në Kotorr, meqënëse arritën rezultate fituese?
Për hir të së vërtetës, nuk mund të thuhet akoma nëse ato do ta kapitalizojnë këtë fitore dhe do të marrin pushtetin në Podgoricë. Ditët në vazhdim do të vijojnë me përllogaritje zgjedhore, marrëveshje dhe matematikë politike. Por, edhe përkundër pjesëmarrjes së dobët, rreth 56 përqind, gjë që është dhjetë përqind më pak se herën e kaluar, partitë që kanë ushtruar pushtetin në nivel kombëtar dhe kanë qënë drejtiuese në Podgoricë nuk e përsëritën rezultatin fitues mëparshëm, e kësisoj mund të flitet ndoshta për një moment kthese në jetën politike të Malit të Zi në pesë vitet e fundit, megjithëse gëzimi i obsioneve malazeze mund të dalë se është ende heret. Sido që të jetë, prirja është që partitë sovraniste dhe proeuropiane, pas disa vite hallakatjesh dhe rëniesh, po kthehen përsëri në skenën politike.
Partia më e fortë promalazeze dhe proeuropiane Partia Demokratike e Socialistëve (PDS), e cila, me sa duket, është çliruar nga ngarkesa e Millo Gjukanoviçit, fitoi në Podgoricë 30 përqind të votave dhe është shumë afër që, sëbashku me dy parti të tjera proeuropiane, atë të Boris Mugoshës dhe të ish-kryeministrit Dragan Markoviç, të ketë mundësinë të “vendosë” përsëri kryetarin e bashkisë dhe ky është Nermin Abdiçi. Por, për këtë u nevojitet mbësheteja e përfaqësuesve të dy humbësve më të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve – lista e presidentit të Malit të Zi Jakov Millatoviç dhe ajo e ish-kryeministrit Dritan Abazoviç. Ato mezi morën dhjetë përqind të votave, por gjashtë këshilltarët e tyre (katër të Millatoviçi dhe dy të Abazoviçit), edhe përkundër rezultatit të dobët, janë në situatën më të favorshme sepse mund të jenë ose “gjuhëza” në peshore për fitimtarët ose ta përmbysin situatën. Megjithatë, këtu ka shumë “por” dhe me siguri që do të përllogariten mirë gjërat sepse çdo lëvizje mund të jetë me rrezik, ose thënë më mirë ndoshta do të kërkohet ajo lëvizje që do të jetë më pak e rrezikshme për ta. Thirrje sirene tashmë u kanë dërguar edhe përfaqësuesit e listës radikale proserbe “Për të ardhmen e Podgoricës” të cilën e drejtojnë vojvoda çetnik njëkohësisht dhe kryetari i parlamentit Andrija Mandiç dhe “zhetoni” i parë i Vuçiçit në Mal të Zi, Millan Knjezheviç. Ata janë të tretët dhe kanë fituar 20 përqind të votave. Nëse duan pushtetin në Podgoricë duhet të bien në gjunjë para Millatoviçit si kryeministri Millojko Spajiç ashtu dhe zëvendëskryeministri Aleksa Beçiç, lista e të cilëve ka dalë e dyta me më pak se 22 përqind. Por sjellim në kujtesë se Millatoviçit dhe Spajiçi janë ndarë sepse ka ndodhur përçarja në “Lëvizjen Europa” të tyre (deri tani kjo Lëvizje ka fituar zgjedhjet Podgoricë dhe në nivel kombëtar), lëvizje të cilën Millatoviçi me grupin e vogël të mbështetësve të tij e ka braktisur. Tani që të dy janë përballë sprovës, megjithëse disa burime nga Podgorica pohojnë se Millatoviçi mund ta kthejë fletën dhe të bashkohet me PDS-në sepse zgjedhja e bashkimit me koalicionin Spajiç-Mandiç mund t’i kushtojë karrierën.
Për më tepër që në tryezë është edhe e “ardhmja europiane” e Malit të Zi, sepse PDS dhe partitë e tjera promalazeze mbëshesin haptazi vlerat europiane dhe janë për hyrjen sa më të shpejtë në BE, e kësisoj Jakov Millatoviçi, i cili sikurse e thotë edhe vetë, është i “përkushtuar ndaj kësaj ideje” – pikërisht për këtë mund ta kthejë fletën. Me këtë do t’i tregonte Brukselit dhe Uashingtonit se mendon seriozisht, ndryshe nga qeveria ose sëpaku një pjesë e mirë e saj, dhe se nuk është vetëm një “gënjeshtër laramane”. Për hir të së vërtetës, obsionet proserbe pengojnë haptazi rrugën europiane malazeze, dhe nga ana tjetër është e qartë se Aleksandr Vuçiçi nuk dëshiron që Mali i Zi të hyjë në BE, sidomos jo para Serbisë.
Por gjithsesi ky nuk është fundi i sherrit. Para këtyre zgjedhjeve, nga PES-i i Spajiçit pohonin se as të vdekur nuk kanë për të bërë aleancë me Millatoviçin, ndërsa arësyeja e aleancës së detyruar mes Millatoviçit dhe Abazoviçit ishte përpjekja që nëpërmjet zgjedhjeve të Podgoricës të rrëzohet qeveria dhe të provokohen zgjedhje të parakohëshme parlamentare. Kjo sidomos për shkakun se partitë e pakicave kombëtare – shqiptarëve dhe boshnjakëve – në konflikt me të tjerët për shkak të Ligjit për shtetësinë e dyfishtë, të cilin më shumë nga të gjithë e shtyn Andrija Mandiçi, gjë që i shkon për shtat edhe Beogradit, dhe mund të ndryshojë plotësisht figurën zgjedhore të gjakut të Malit të Zi, sepse është një nga propozimet më të kundërshtuara mbi të cilin kalëron pushteti i tanishëm. Përfundimisht, në natën e zgjedhje shefi i PDS-së Danijel Zhivkoviçi u shpejtua të deklarojë: “Qeveria ka rënë. Spajiçi të japë dorëheqjen”. Edhe analistja politike nga Qendra për arsimin politik Daliborka Uljareviç, deklaroi për portalin Antena se rezultati i listës së Kryeministrit Spajiç “vë seriozisht në pikëpyetje legjitmitetin e qeverisë”. Shumë veta kanë interpretuar sikur në PDS janë marrë vesh për diçka me Millatoviçin, megjithëse ende nuk mund ta vërtetojmë, sëpaku në momentin që po shkruajmë këtë informim. Por, nëse PDS dhe Millatoviçi gjejnë njëri tjetrin, është e qartë se kjo do të ishte një goditje e rëndë për qeverinë dhe “boshtin” Spajiç-Beçiç-Mandiç. Në Podgoricë shprehen se gjithsesi kjo nuk është diçka e pamundur, por megjithatë nuk duhet harruar se nga Beogradi dhe Kisha Ortodokse Serbe (KOS) tashmë kanë filluar të bëjnë presion të madh ndaj presidentit Millatoviç për të qëndruar në taborin proserb. Përfundimisht, me siguri nuk ishte e rastit që kreu i KOS-it Patriarku Porfirije, si për rrugë, ishte në Kotorr bash ditën e zgjedhjeve, ndërsa nga PDS-ja kanë paraqitur mjaft objeksione në Komisionin zgjedhor për, sikurse pohojnë ata, “turistët zgjedhorë” nga Serbia dhe Republika Srpska të cilët atë ditë vërshuan në Podgoricë, sipas “formatit zgjedhor beogradas” të Aleksandër Vuçiçit. Sepse, Vuçiçi është i vetëdijshëm se “largimi” i Millatoviçit do të prishte planet e tij “gjithëserbe” në Mal të Zi.
Zgjedhjet në Podgoricë mund të nxisin krizë të mëtejshme të pushtetit, por, sikurse mendojnë disa, mund të kenë edhe efekt të ndryshëm – domethënë që Spajiçi, Beçiçi dhe Mandiçi, pikërisht për faktin se mund të përballen me të panjohura të pakëndshme në rast zgjedhjesh të parakohëshme, mund të lidhen dhe bashkohen akoma më shumë me njeri tjetrin. Gjithçka varet nga ajo nëse Millatoviçi dhe Abazoviçi vendosin të bëjnë një përmbysje politike dhe cilën. Partia e boshnjakëve gjithsesi ka pësuar humbje të thellë. Nuk e kapërceu pragun zgjedhor, sepse në nivel kombëtar vendosën të jenë mbështetës të obsioneve nacionaliste proserbe dhe antieuropiane në qeverinë e malit të Zi. Për hir të së vërtetës, disa nënvizojnë se Podgorica mund të mos jetë në gjendje ta zgjidhë problemin në afatin zgjedhor duke mos qënë në gjendje ta formojë pushtetin lokal dhe në këtë rast zgjedhjet në Podgoricë mund të përsëriten, por edhe Daliborka Uljareviçi mendon se ky obsion, sëpaku në këtë moment, është shumë pak i mundshëm.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.jutarnji.hr/vijesti/svijet/u-nedjelju-se-dogodio-veliki-zaokret-u-crnoj-gori-ovo-je-mozda-prijelomni-trenutak-u-posljednjih-pet-godina-15507398